E THIRRUR
Në të vërtetë gjithçka ka nisur herët. Gjithçka nisi në Korrik të vitit 1999. Kishte kaluar vetëm një muaj nga vdekja e babait tim, kur një grup nga Singapori u shpërngul në Sheqeras me qëllim Ungjillëzimi. Ata na vizitonin herë pas here, na mësonin disa këngë, një prej tyre ende e këndoj, madje me lëvizje, ashtu si na e mësuan. Mami im filloi të takonte rregullisht këtë grup, dhe ajo filloi të besonte. Filloi të kishte besim tek Jezus Krishti. Në atë kohë isha 5 vjeç dhe kur mami më thonte për dicka është mëkat, e pyesja disa herë çfarë ishte dhe ajo më tregonte sipas gabimeve që bëja. Mbaj mend që çdo darkë mami na thonte të mbyllnim sytë se do luteshim dhe fliste diçka me sy mbyllur. Me kalimin e kohës e kuptova se për çfarë bëhej fjalë, kuptova ku besonte mami dhe motra ime, por jo, unë isha ndryshe. Unë nuk besoja në mrekulli, në Krishtin, në shpëtimin. Nëse Zoti do ekzistonte babi im nuk do të kishte vdekur. Vazhdova me këtë arsyetim derisa motra ime u sëmur. Qëndroi një muaj në spital. Kishte azotemi në veshka dhe mjekët nuk i dhanë shpresë. Çdo ditë në Kishën e Sheqerasit bëheshin takime lutjeje për motrën time. Atëherë i kam kërkuar Zotit një mrekulli. Jam lutur me të gjithë forcën e shpirtit për motrën time ashtu si unë dija. Fillova të shpresoja shumë në shërimin e saj. Ndërkohë që motra u dërgua në Tiranë me ambulancën e spitalit, të gjithë besimtarët qëndronin në lutje. Pas 10 ditësh pritjeje ne morrëm lajm. Motra ishte jashtë rrezikut për jetën. Atë ditë kam besuar vërtet…
Ka kaluar një kohë e gjatë që atëherë, më është dashur të përballoj sfida të ndryshme, probleme dhe vështirësi që ndonjëherë edhe më kanë rrëzuar, por jam ngritur përsëri. Kam parë me sytë e mi në jetën time dorën e Zotit që ka punuar, dhe unë e kam pranuar. Kam pranuar ndreqjet dhe bekimet. Para 4 vitesh jam pagëzuar dhe i kam treguar Kishës që edhe unë jam pjesë e kësaj familjeje të madhe. Çdo tundim që më është dhënë më ka forcuar më tepër në Zotin dhe më ka bërë ta dua atë më shumë. Dhe unë tashmë e di thirrjen time. Perëndia më ka sjellë në jetë për të zmadhuar mbretërinë e tij. Kjo është motoja ime. (Mateu 28: 19-20) Shkoni pra dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.
Unë jam princeshë. Unë jam bijë e Mbretit sepse Perëndia ka thënë:- Mos ki frike sepse unë të kam shpenguar, të kam thirrur në emër, ti më përket mua. Amen!
Unë e kam bërë zgjedhjen time, e di kush jam, kujt i përkas dhe cila është thirrja ime!!! Po ti????